Një bast i sigurt

Unë jam një njeri shumë konkurues dhe më ka pëlqyer gjithmonë të marr përsipër risqe. Ideja për të investuar pak, në mënyrë që të kem fitime të majme më ka joshur gjithmonë.

Jam i mirë në lojra dhe sporte, por edhe kur isha fëmijë, nëse nuk kishte një bast apo një shpërblim të përfshirë në lojën e pingpongut, tenisit ose damit më mungonte shtysa për të luajtur mirë dhe për të shijuar garën. Kur u rrita, më pëlqenin fundjavat kur luanim poker me miqtë dhe ndonjëherë luanim deri në mëngjes.

Më vonë, pësova një ndryshim të madh e të papritur. Jezusi erdhi në jetën time dhe fjalët e Tij filluan të depërtonin thellë brenda meje, duke ndryshuar gradualisht pikëpamjet, qëllimet, objektivat dhe përparësitë e mia. Fillova të kuptoj se shpërblimet e vërteta ishin hyjnore, jo tokësore. Kuptova gjithashtu se unë mund të kisha gjënë më me vlerë që mund të kishte dikush: jetën e përjetshme. Ishte margaritari i çmuar i njëjtë me shëmbëlltyrën që tregoi Jezusi ku një burrë ishte i gatshëm të shiste gjithë pasuritë e tij për ta blerë.1

E dija që ishte bast i sigurt sepse kishte sigurinë më të mirë—shpërblime të përjetshme bazuar në premtimet e Zotit: “Mos mblidhni për vete thesaret në tokë, aty ku ndryshku dhe mola i shkatërrojnë dhe ku hajdutët thyejnë e vjedhin; por mblidhni për vete thesare në parajsë, ku as mola e as ndryshku nuk shkatërrojnë dhe ku hajdutët nuk thyejnë e vjedhin. Por, para së gjithash kërkoni mbretërinë e Zotit dhe drejtësinë e Tij, dhe të gjitha këto do t’ju shtohen.”2

Që nga momenti kur vendosa për të ndjekur Jezusin dhe për të investuar në gjëra të përjetshme, dëshira për bixhoz m’u largua. Më pëlqejnë ende lojrat dhe sportet, por nuk kam më shtysën për të vënë baste për to. Kjo ka qenë përmbushja e një tjetër premtimi të mrekullueshëm: “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.”3

* * *

Sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu! Ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua. Sepse pranë teje është burimi i jetës.—Psalmet 36:7–9

Jam i degraduar, plot të meta dhe jo i përsosur. Por të zhytur në mirësinë dhe mëshirën e Jezusit, është aty ku e gjejmë forcën.―Adam Young (lindur v.1986), Producent Amerikan

  1. Shih Mateu 13:45-46.
  2. Mateu 6:19-20,33
  3. Gjoni 8:32