Kur mbusha nëntë vjeç, mora dhuratë një libër që të mësonte se si të pikturosh me bojra uji. Isha e gëzuar dhe lundrova me padurim në faqet e tij. Por kjo vetëm për të pasur një zhgënjim — i gjithë çereku i parë i librit përbëhej nga ushtrime tonale dhe përshkrime të përdorimit të furçës dhe përzierjes së ngjyrave. Sa e mërzitshme! Duke psherëtirë, shfletova pjesën tjetër të librit: këshilla mbi furça të ndryshme pikture dhe llojet e letrës. Nuk kam nevojë për të gjitha këto. Ku është pjesa e bukur?

Hapa faqet në mes të librit, ku sytë më zunë një pikturë me luleshtrudhe. Vepra e përfunduar dukej shpresëdhënëse, dhe fotot që tregonin hap pas hapi pikturimin e saj dukeshin të lehta për t’u ndjekur. Dhe aty u hodha në veprim! Zhyta furçën time në ujë dhe fillova.

Ngjyra e verdhë për t’i dhënë refleksin luleshtrydheve shkoi mjaft mirë, por kur provova t’i jap bojën portokalli për ngjyrat e ndërmjetme, rezultoi se përzierja ime përmbante shumë më tepër ujë dhe shumë pak bojë. Nuk kisha përzierë bojë kurrë më parë ndaj nuk e kisha idenë se si duhej bërë.

Letra e hollë me cilësi të dobët që po përdorja, nuk e përthithte të kuqen e thellë për ngjyrat e errëta dhe filloi të copëzohej, e mbingopur nga tepria e bojerave të holluara me ujë që nuk i kisha lënë të thaheshin sa duhej. Ngjyrat e mia të bukura ngjanin si ujërat e lumit Nil të shndërruara në gjak![1. Shih Eksodi 7:14-25.]

Në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar punën që kisha bërë, u përpoqa të pikturoj mbi kapelet jeshile të luleshtrydheve, por furça ime pak e madhe përhapi bojën jeshile nëpër pjesën e kuqe, duke krijuar një njollë groteske ngjyrë kafe. Në momentin që mbarova së pastruari rrëmujën time të bërë qull, vendosa të mos prekja më furçë me dorë.

Në mëngjes, gjeta zgjidhjen e rrëmujës që kisha krijuar: shpenzova pak nga paratë e çmuara që kisha në xhep për materialet e duhura, i studiova dhe u praktikova.  Më në fund, pata kënaqësinë të pikturoja ato pamje dhe copëza arti — po, edhe luleshtrydhet — dhe vura re se si e gjithë ajo “gjë e mërzitshme” u bë baza e suksesit tim të ardhshëm.

Shpesh dëshiroj t’i arrij objektivat e mia shpejt dhe me lehtësi dhe ndodh që frikësohem dhe dekurajohem kur gjatë rrugës përballem me pengesa dhe vështirësi. Nuk e kam zbuluar çelësin magjik të suksesit, por mësimi i “Nilit të Kuq” më bën të mendoj të punoj fort dhe të mos dorëzohem në momente të vështira, të lodhshme dhe të pakëndshme. Vetëm ashtu mund të përfitosh luleshtrydhet në një pikturë.