Ndriço qoshen tënde

U trondita nga zëri tashmë i njohur i një foshnje që qan me ngashërim. Pas perdes së lindjes, mund të dëgjoja brengosjen e nënës së tij, zërin e saj të lodhur duke u përpjekur ta qetësojë. Unë isha pesëmbëdhjetë vjeç dhe isha në spital, në pavijonin e fëmijëve pasi kisha hequr bajamet një ditë më parë. Ndryshe nga pritshmëritë, pati disa komplikime, dhe tani dhimbja në fyt dhe vesh, e bënte të pamundur të bija në gjumë. Shtypa qesen me akull më fort në fyt dhe fytyrë ndërkohë që pashë këtë nënë të rraskapitur e të dërmuar duke ecur tutje tëhu në korridorin e ngushtë, ndërkohë që tundte djalin e saj të vogël që qante.

Të qarat e tij për të cilat të vinte keq, ishin disi të mbytura nga fasha mbi gojën e tij. Një ditë më parë, dëgjova pa dashur nënën e tij që diskutonte me një infermier se si djali i saj kishte lindur pa buzën e sipërme. Edhe pse ishte vetëm tre muajsh, ky ishte tashmë ndërhyrja e tij e tretë kirurgjikale. Ai duhej t’i nënshtrohej të paktën, tre operacioneve të tjera para ditëlindjes së tij të parë. Çdo operacion ndërhynte te i mëparshmi për të ndërtuar gradualisht një buzë të sipërme.

Më shkoi mendja te orët e vizitave mbrëmjen e mëparshme, kur erdhi babai i tij. Nga veshja kuptoje ishte një punëtor ndërtimi dhe dukej  se kishte ardhur direkt nga puna. Pashë se si ai me dashuri përkundi djalin e tij dhe e ushqeu duke hedhur pak qumësht në gojën e tij dhe më pas, me shumë butësi po e lëkundte kokën e tij, për ta ndihmuar ta gëlltiste. Pa buzën e sipërme, djali i tij nuk mund të ushqehej apo të pinte nga biberoni si foshnjat e tjera.

U ktheva në të tashmen kur një infermiere u fut në dhomë për të bërë raundet e saj. Kapa qesen me akull që ajo më ofroi dhe e vështrova teksa u përkul mbi foshnjën për t’i ndryshuar fashën e tij. Më vonë, kur u qetësua nga e qara dhe ai ra në një gjumë të shqetësuar, ajo u kthye të largohej. Por më pas, ndaloi. “Duhet të jetë shumë e vështirë,” tha ajo butësisht, duke prekur krahun e nënës së tij. “Oh, po,” erdhi përgjigjja, me një zë të mbushur me dhimbje. Me shikim të përhumbur, zëri i saj u drodh teksa vazhdoi të fliste. “Shpesh pyes veten pse… pse e solla në jetë kështu?!”

Teksa hapat e infermieres po zbeheshin në korridor, fjalët e nënës më bënë jehonë në vesh. Mendova sa shumë duhet të dojë Zoti t’i bëjë të ditur se Ai i do, përkujdeset dhe s’i dënon kurrë njerëzit; se Ai është afër dhe kupton.  Nuk i rezistoja dot dëshirës t’i thosha diçka. Por çfarë mund t’i them? Si mund t’i them gjë? Zëri më ishte reduktuar përkohësisht në një pëshpërimë të zhurmshme, dhe mund të kisha shumë dhimbje po të flisja. Por e mendova mirë e mirë, dhe një refren i shkurtër që kisha dëgjuar kur isha fëmijë, papritur më erdhi ndërmend:

Jezusi na udhëzon të shkëlqejmë me një dritë të pastër e të qartë,
Si një qiri i vogël që digjet natën;
Në këtë botë errësire, ne duhet të shkëlqejmë,
Ti në cepin tënd të vogël, dhe unë në timin. [[“Jezusi Na Udhëzon Të Shkëlqejmë,” nga Susan B. Warner – 1868]]

Është radha ime t’i ofroj mbështetje, mendova, duke parë rreth e përqark dhomën time me ndriçim të dobët. Ende e pasigurt çfarë do të thosha dhe si do ta thosha, ula qesen time me akull dhe dola nga shtrati. Shumë shpejt, nisëm të bisedonim. Zëri im ishte i çjerrë, fjalët i kisha të thjeshta, isha pak e ngathët, dhe fytyra më reflektonte ndrojtjen time të zakonshme. Por ndërkohë që po bisedonim, dhimbja dhe dëshpërimi në sytë e saj gradualisht më dha paqe dhe besim. Kur u lutëm së bashku, kuptova e habitur se Zoti më kishte përdorur mua, qiriun e tij Tij të vogël, për të sjellë dritën e Tij në një zemër të lënduar.

Kanë kaluar shumë vite, por shpesh e kujtoj atë përvojë. Secili prej nesh ka një cep të vogël ku struket, një familje, një vend pune, një shkollë apo një fqinj. Është shumë e thjeshtë të ndihesh i parëndësishëm dhe të dyshosh se mund të bësh ndryshimin. Por “pak” është “shumë”, nëse në të përfshihet Zoti. Dhe Zoti është vërtet brenda secilit prej nesh.1 Ne jemi qirinjtë e Tij, secila e vendosur në qoshe të kësaj bote errësire për të ndriçuar në mënyrë unike për Të. Lutem të jem e zonja të ndriçoj qoshen time, kurdo dhe sido të mundem.

  1. Shih Gjoni 14:20.