Fiqtë janë fruta që përmenden në Bibël dhe ekzistojnë edhe sot qofshin të butë, të lëngshëm, të freskët apo edhe në formën e frutave të thata. Fiqtë janë një tablo e zakonshme në peizazhin biblik dhe shpesh simbolizonin siguri dhe mirëqënie. 1

Dhe pastaj vjen një moment kur Jezusi po largohej nga qyteti e Betanisë dhe vuri re një pemë fiku. Ai ishte i uritur dhe kërkoi nëpër gjethe të gjente ndonjë frut. Nuk kishte asnjë fik dhe për këtë ai e mallkoi pemën: “Mos u bëftë më fryt prej teje përjetë.” 2 Pema u tha menjëherë.

Duket një gjykim i ashpër ndaj pemës dhe shumë ndryshe nga ajo që Ai tregoi për një pemë tjetër fiku të cilës iu dhanë katër vite kohë që të tregonte veten. 3 Ne nuk i dimë të gjitha arsyet se përse Zoti dha një gjykim të papritur e të pakthyeshëm, ashtu siç bashkëkohësit e Tij nuk dinë se përse u vranë 18 njerëz nga rënia e një kulle, gjë që dukej një fatkeqësi e rastit. 4

Është vështirë kur fatkeqësitë na godasin në jetë. Humbim një njeri të dashur, shëndetin tonë, punën, një marrëdhënie dhe përpiqemi ta kuptojmë të gjithë atë që ndodh. Ndoshta dikush mund të na japë një libër që tregon “Arsyet e Sëmundjes” ose reklamon “11 hapat për t’u Shëruar.” Por “Të kuptuarit” nuk është gjithmonë pjesë e planit të Zotit. Ai nuk na lejon gjithmonë të hyjmë në mendimet e Tij; ndonjëherë Ai pret që ne të “besojmë Zotin me gjithë zemër dhe mos të mbështetemi në gjykimin tonë.” 5

Zoti mund të mos na japë gjithmonë shpjegime, por Ai premton të na japë Veten e Tij gjithmonë. “Mos ki frikë, sepse Unë jam me ty,” na thotë Ai. 6 “Mos u frikësoni dhe mos u dekurajoni, sepse Vetë Zoti që është prijësi yt do të jetë me ty; Ai s’do të të lëshojë as do të braktisë.” 7

  1. Shih Ligji i Përtërirë 8:8-9; 1 Mbretërit 4:25.
  2. Mateu 21:18-20
  3. Shih Luka 13:6-9
  4. Shih Luka 13:4.
  5. Fjalët e Urta 3:5.
  6. Isaia 43:5
  7. Ligji i Përtërirë 31:8