Marrëdhënie të ndryshme, por më të thellë

Unë jam rritur në një shtëpi të krishterë nga prindër të krishterë të përkushtuar. Ne luteshim para se të dilnim, sa herë mundeshim, në makinë, para se të gatuanim, para se të fillonim detyrat tona të shtëpisë, dhe sigurisht, para se të flinim. Raftet ishin plot me libra devotshmërie për fëmijë dhe Bibla, si dhe shikonim filma vizatimorë me natyrë biblike në mbrëmje.

Kur mbarova shkollën e mesme dhe hyra në mjedisin intelektual laik të akademisë, fillova të shikoj prapa me mëdyshje në besimin që e kishte përshkuar kështu fëmijërinë time. E dija që gjithmonë do ta kisha një Mik me të cilin do të mund të flisja sa herë që kisha nevojë për ngushëllim dhe forcë; dhe tani duke u përballur me sfidat e shumta të presionit akademik, presion social, dhe së shpejti, presion punësimi, kisha nevojë më shumë se kurrë për drejtim. Megjithatë, prapë u ndjeva e pështjelluar dhe konfuze.

Pastaj, hasa një artikull nga kolona e këshillave në internet. Shkrimtarja e letrës ishte një adoleshente, e cila ishte rritur në një shtëpi katolike dhe kishte dyshime për besimin e saj. Njësoj si unë, ajo ndihej e humbur dhe e pasigurt. Unë u identifikova me gjendjen e saj dhe me padurim lexova përgjigjen e këshilluesit. Për fat të keq, këshilltari e nxiti atë të gjejë kuptim në kënaqësitë e përditshme të jetës dhe sugjeroi se feja nuk kishte shumë lidhje ose dobi në jetën moderne.

Disi e zhgënjyer, vazhdova të lexoja komentet. Së bashku me zërat që përputheshin me këshilltarin, një komentuese dha këshilla krejt të ndryshme: “Besimi që ti përshkruan është më shumë si i një fëmije, i cili është njësoj me besimin që kisha unë. Dhe ai besim vdiq. Por besimi i ri që gjeta u bë më i fortë dhe më kuptimplotë.” Edhe pse dyshonte për ekzistencën e Zotit, ajo në fund të fundit kishte rizbuluar gëzimet e të pasurit një marrëdhënie personale me Jezusin.

Përgjigja e kësaj komentuese tregoi se kishte të rinj që, si unë, ishte rritur në një shtëpi të krishterë dhe zbuloi që Jezusi ishte i rëndësishëm edhe në jetën e tyre të re si të rritur. Unë nuk kisha pse të kthehesha në fëmijërinë time ose në zakonet e veçanta të familjes sime të krishterë, në mënyrë që të kisha një marrëdhënie me Jezusin. Bindja ime mund të forcohej edhe duke studiuar shkrimet e intelektualëve të krishterë, të cilët kishin luftuar me dyshimet dhe kishin gjetur forcë shpirtërore dhe guxim moral në besimin e tyre.

Unë dhe Jezusi ende po zgjidhim ç’do të thotë të jesh i krishterë në jetën time të shpejtë dhe të vështirë prej të rriture. Nuk i di ende të gjitha përgjigjet, dhe ndonjëherë, ndiej sikur besimi po më lëkundet, por e di që Jezus po më udhëheq me durim dhe po më mëson të eci me Të në një mënyrë të ndryshme, por më të thellë.