Ai vit në të cilin patëm shumë pak para për Krishtlindje, doli viti më i mirë! Pasi u transferuam në një vend të ri, na u desh të linim pas të gjitha zbukurimet e Krishtlindjeve. Pyesja veten se si do të mund ta zbukuronim shtëpinë atë vit, duke qenë se kishim edhe një buxhet të kufizuar dhe shumë shpenzime të tjera gjatë zhvendosjes. Fatmirësisht, gjatë një fundjave vjeshte, fëmijët e mi po shëtisnin në pyll dhe u lindi ideja të mblidhnin boçe pishe dhe t’i përdornin ato si zbukurime për Krishtlindje. Filluam menjëherë dhe në mbrëmje kishim një çantë plot.

Pas kësaj, çdo të shtunë pasdite, ne punonim për projektin tonë të boçeve të pishës. Në fillim, bëhej zgjedhja e boçeve bazuar në përmasat dhe cilësinë e tyre. Më pas fëmijët i lidhnin me tel dhe i kapnin në një shkop të gjatë. Kjo ia bënte më të lehtë t’i lyenin me bojë duke shtruar poshtë tyre edhe plastmas. Sapo boja thahej, ata i zbukuronin dhe rregullonin telin në mënyrë që të mund të varej nga pema apo nga kurora me lule që vendosej te hyrja.

Pastaj vinte momenti i zbukurimeve. Me shiritat ngjyrë ari dhe blu, boçet e pishës ktheheshin në vepra të vërteta arti. Rezultatet ishin të thjeshta, por të bukura dhe të gjithë vizitorët tanë komentonin dhe shpreheshin se sa e bukur u dukej dhoma jonë e ndenjes.

Vitin tjetër, kur nxorrëm kutinë e zbukurimeve, të gjithë prisnin të shihnin se si do të kishin mbijetuar boçet e pishës. Të gjithë nxirrnin diçka nga kutia dhe thërrisnin me gëzim, “Hej, këtë e gjeta gjatë shëtitjes sonë në pyll!” Ose, “këto i kapa unë me fjongo!” Të gjithë po tregonin kujtimet e bukura të Krishtlindjeve të kaluara dhe rolin të tyre gjatë saj.

Aty kuptova se nuk nevojiten shumë para për të krijuar kujtime të paharrueshme Krishtlindjesh. Fakti që kishim buxhet të kufizuar na shtyu të bënim zbukurimet me boçe pishe dhe na dhuroi momente të këndshme. Ato Krishlindje nuk kishim shumë gjëra materiale, por ama kishim njëri-tjetrin.