Diçka që më ka pëlqyer gjithmonë për Krishtlindje është të dëgjoj dhe këndoj këngët e Krishtlindjeve që janë shkruar ndër shekuj. Më pëlqejnë aq shumë saqë i dëgjoj gjatë gjithë vitit. Shumë prej tyre janë kryevepra dhe shumë prekëse. Kohët e fundit, duke kërkuar online për fjalët e disa këngëve, u mahnita si kurrë më parë nga poezia dhe përmbajtja e tyre.

Ajo që më befasoi ishte ngjyresa dhe fuqia e mesazhit që përcillej me anë të refrenit të këngës. Ato flasin për të vërtëta të mëdha lidhur me Jezusin, mishërimin e Tij, misionin, qëllimin dhe forcën, si dhe për dashurinë e sakrificën e Tij për njerëzimin. Ato nuk janë thjesht dëshmi e fortë e përçimit të mesazhit të Shpëtimtarit dhe shpëtimit, por gjithashtu na kujtojnë neve, ndjekësve të Tij të vërtetat e mëdha që ne besojmë.

Për qindra vjet me rradhë, këto këngë kanë folur për historinë e Atij që la parajsën për t’u sjellë shpëtim njerëzve. Na rikujtojnë ashtu siç kanë bërë ndër shekuj, rëndësinë e kësaj dite që festojmë—lindjen e Krishtit—Jezusit, Birit të Zotit që jetoi mes nesh dhe dha jetën e Tij që ne të jetojmë përgjithmonë. Dhe bashkë me këngët e bukura të Krishtlindjeve është ndërthurur e vërteta e asaj që Zoti ka bërë për t’i sjellë shpëtim njerëzimit.

Kënga “Dëgjoni! Po këndojnë Engjëjt Lajmëtarë” u shkrua në vitin 1739 nga Charles Wesley. E krijuar fillimisht si muzikë solemne, ajo u shndërrua në këngën e bukur e të hareshme të Krishlindjeve që është sot nga William Cumings, i cili e përshtati muzikën nga një pjesë e Felix Mendelssohn. Mesazhi i pajtimit me Zotin, paqja e sjellë nga Princi i Paqes dhe ngazëllimi sepse Jezusi është Mbret, e bëjnë këtë një këngë shumë kuptimplotë për Krishtlindje.

Dëgjoni! Engjëjt lajmëtarë po këndojnë, “Lavdi Mbretit që sapo lindi thonë;
Paqe në tokë dhe mëshirë, mëkatarët u pajtuan me Zotin e mirë!”
Të gëzuar të gjitha kombe çohuni, triumfit të qiejve bashkojuni;
Me deklaratën engjëllore, “Krishti lindi në Betlehem.”
Engjëjt lajmëtarë po këndojnë, “Lavdi Mbretit që sapo lindi thonë!”

“O Natë e Shenjtë” është kënga ime e preferuar e Krishtlindjeve—dhe në fakt kënga ime e preferuar e të gjitha kohërave. 1 Ka fjalë dhe melodi të fuqishme dhe përcjell mesazhin e shpresës për të gjithë ata që besojnë tek Jezusi. Ajo flet edhe për ndikimin që Ai ka në jetën e atyre që arrijnë ta njohin. Ja disa prej vargjeve të saj:

Prej kohësh bota ishte në mëkat dhe duke gabuar,
“Derisa u shfaq Ai dhe shpirti u ndje sërish i vlerësuar…

Ai na mësoi të duam njëri-tjetrin;
Ligji i Tij është dashuria dhe ungjilli është paqja.
Ai do të këpusë zinxhirët, sepse robërit janë vëllezërit tanë;
Dhe në emrin e Tij, më shtypje nuk do ketë pranë.

Kjo strofë shtesë e cila këndohet rrallë, përmban fjalë prekëse ku mund të gjejmë ngushëllim në kohë të vështira.

Mbreti i mbretërve në një grazhd qëndronte,
Dhe gjatë vështirësive tona Miku ynë lindi
Që kur të kishim nevojë pranë Vetes të na afronte.
Ja Mbreti juaj! Përuluni para Tij!
Ja Mbreti juaj! Përuluni para Tij!

Jezusi na gjendet gjithmonë pranë për të na ndihmuar. Gjatë gjithë udhëtimit të jetës sonë, gjatë gjithë sprovave tona, Ai është aty. Siç thotë edhe kënga, Ai ka lindur për të qenë miku ynë. Ai i njeh të gjitha dobësitë tona. Ai di gjithçka rreth nesh—të mirën dhe të keqen—dhe pavarësisht nga kjo na do ashtu siç jemi. Ai do që të jetë pjesë e jetës sonë, jo vetëm në momente të vështira, por edhe në momente gëzimi e lumturie, kur ne festojmë për arritjet tona dhe ato të familjarëve apo miqve tanë.

Për Krishtlindje, ne kujtojmë lindjen e Jezusit dhe kjo është një periudhë e mrekullueshme e vitit për të menduar për Të dhe gjithçka që Ai ka bërë për ne, gjë që shkon përtej sezonit të Krishtlindjeve. Ai është pjesë e rëndësishme e jetës sonë dhe dëshiron të jetë i pranishëm në gjithçka që bëjmë—dhe Ai mund të jetë vërtetë, për sa kohë që ne e lejojmë.

Kur të këndojmë këngët e Krishtlindjeve këtë vit, është mirë të reflektojmë rreth kuptimit të tyre, për atë çfarë ka bërë Jezusi dhe sesa shumë na do gjithsecilin prej nesh.—Dhe të jetojmë me ato mendime dhe dashurinë e Tij gjatë gjithë vitit. Duajeni Atë, Duajini krijesat e Tij, dhe jini mirënjohës për gjithçka që Ai ka bërë.

Kalofshi Krishtlindje të mrekullueshme!

  1. Fillimisht teksti u shkrua në Frengjisht nga Placide Cappeau (1808-1877), më pas u bë këngë nga Adolph Adam në vitin 1847.