Këtë mëngjes, e nxora veten zvarrë nga krevati. Dielli nuk ka dalë ende i plotë, kështu që pse duhet të çohem?

Ndërkoha që vrisja mendjen mbi këtë logjikë patetike, u vesha, mora çantën time, dhe dola nga dera kryesore.

Tani shpresoj që disa prej jush të simpatizohen me ndjenjat e mia, kur të dëgjoni qëllimin tim. Isha rrugës për në palestër.

Por pa prit pak! Mund të thoni ju. Aktiviteti fizik është i mrekullueshëm, freskues, emocionues, ngazëllues dhe i veçantë! E po, nuk ndihesha pikërisht kështu atë mëngjes. Ka qenë një javë e ngarkuar, dhe të zgjohesha pak më herët po shkatërronte “racionin tim lumturues” të ditës.

Gjithsesi, e bëra stërvitjen, dhe arrita tek dushet në kohë për t’u kthyer në shtëpi. Isha mendërisht i largët, po mendoja për ditën që më priste, kur dëgjova dikë duke kënduar.

Nuk e di për palestrat e tjera, por përgjithësisht, askush nuk këndon në palestrën time. Nëse e bëjnë, është zakonisht ose një këngë nën zë ose një angullimë pa frymë. Kjo ishte vërtet këngë, plot besim dhe i qartë. Dikush po këndonte një këngë të cilën nuk e njihja, dhe dëgjova fjalën “Jezus.” Më pas, ai filloi një variant të  “Fjala Jote është një Llampë nën Këmbët e Mia (Thy Word Is a Lamp unto My Feet.)”

E po, isha i tronditur. Brenda disa minutash, ky njeri më kishte frymëzuar edhe më kishte vënë në siklet. Ai po ndante besimin e tij në një mënyrë të thjeshtë dhe të fuqishme. Siç thotë edhe Dwight L. Moody, ai po “ushtronte detyrimet e tij me këpucë lëkure.”

Kur mbaroi së kënduari, ai buzëqeshi dhe tha, “Shpresoj të kalosh një ditë të këndshme!” Më pas, ai mori çantën e tij dhe doli. Bëni mirë të besoni që dita ime u kthye përmbys dhe mbrapsht në një mënyrë të mrekullueshme. I tregova të fejuarës sime për të kur u ktheva në shtëpi. I tregova miqve të mi. I tregova familjes sime. I tregova sa më shumë njerëzve që munda, dhe tani po jua tregoj juve.

Ja se çfarë mësova nga kjo përvojë:

1) Gjendet gjithmonë dikush afër teje që mund të ndikojë tek ti në mënyrë pozitive. Aty, në palestër, ky njeri më ndryshoi botëkuptimin tim dhe më bekoi përmes vullnetit të tij për të nderuar Zotin. Ai nuk e kishte idenë se çfarë po kaloja, dhe ai nuk kishte nevojë ta dinte. Gjithashtu, gjithsecili prej nesh vazhdimisht takon, ndërvepron dhe ndikon tek shumë njerëz. Nëse mund të shfaqim gëzim në një botë të përgjumur dhe mirësi në një shoqëri “sociale”, por shoqërisht të paaftë, mund të ndryshojmë gjithashtu jetën.

2) Zoti di si të na inkurajojë kur kemi më shumë nevojë. Ai e llogariti që ta dëgjoja atë këngë në momentin e duhur. Koha është gjithçka, dhe zoti është tamam në kohë, çdo herë.

3) Mos gjykoni kurrë pamjen e jashtme. Mendoj se me shumë gjasa, kam humbur ndonjë gjë të mrekullueshme shumë herë në jetë, sepse kam gjykuar shumë shpejt.

Kam lexuar se pjesa më e madhe e njerëzve vëzhgojnë dhe e gjykojnë me mendje një të huaj brenda 30 sekondave, në mos më pak, kur e takojnë. Kam mësuar diçka nga kjo përvojë që gjithmonë të përpiqem të jem një shembull i mirë, sepse të tjerët mund të mos na i japin një mundësi të dytë për t’i bindur ata se besimi ynë është i vërtetë.

4) Mendoni për panoramën e madhe. Një këngë, një fjalë e ëmbël, një buzëqeshje, një vepër e mirë, një shënim, një letër eletronike, një këshillë, një cekje në shpinë, një përqafim, një [plotëso vendin bosh] mund të ketë një ndikim të dobishëm shumë më tej përpjekjeve që duhen për të arritur diçka. Ata dividendë të përjetshëm nuk mund të maten nga standardet tokësore. Le të investojmë më shumë në rezultatet afatgjata, madje, dhe veçanërisht, kur akoma nuk mund t’i shohim ato. 1

Le të bëhemi shembuj të Jezusit, dhe le të bëjmë ç’mundemi ta shfaqim Atë në çdo mundësi… madje edhe herët në mëngjes.

  1. Shiko Mateu 6:19–20.