Pjetri ishtë i frikësuar. Bashkë me Jakobin dhe Gjonin, ai ngjiti malin duke ndjekur Jezusin, kur papritur “fytyra e Jezusit shkëlqeu si dielli dhe rrobat e Tij u bënë të bardha si drita.” Shfaqja u bë shumë shpejt edhe më mahnitëse: Moisiu dhe Elija–të vdekur për shumë shekuj–u shfaqën dhe filluan të bisedonin me Jezusin. 1

Nuk të çudit fakti se Pjetri u mahnit, por nuk është se mbeti pa folur. Pjetri, ndjekësi i sinqertë dhe ndonjëherë impulsiv i Jezusit, ai që kishte guximin të ecte mbi ujë me urdhrin e Jezusit, 2 ishte një njeri veprash. Reagimi i tij ndaj ngjarjes së jashtëzakonshme që ndodhi para syve të tij ndoshta ishte tipike. Duke mos u mjaftuar vetëm duke dëgjuar bisedën apo për të reflektuar mbi kuptimin e saj, ai i ndërpreu ata me një sugjerim pavend.

“Mjeshtër, ky është një moment madhështor! Çfarë mendon nëse ndërtoj tri çadra këtu në mal–një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian? 3

Ndoshta ishte një mënyrë shumë e mirë për të kujtuar ngjarjen, por ndërprerja e tij e çoi bisedën drejt një fundi të papritur. Zoti foli nga pas reve, dhe dishepujt u shtangën dhe ranë përmbys me fytyrë përdhe. Kur hapën sytë, Moisiu dhe Elija ishin larguar.

Ndonjëherë, ne të gjithë nuk arrijmë të çmojmë të tashmen, derisa është tepër vonë dhe momenti ka kaluar. Një flutur me shumë ngjyra qëndron mbi një gur në kopshtin tonë; ne nxitojmë të marrim aparatin, por kur kthehemi flutura është larguar. Shëtisim ngadalë duke admiruar arkitekturën e qytetit ku kemi shkuar për pushime, por nuk tregojmë interes për arkitekturën e zonës sonë. Ne numërojmë ditët në pritje të pushimeve në fshat, dhe nuk vlerësojmë pemët dhe parcelat me lule në parkun e qytetit.

Mund të gjejmë më tepër gëzim dhe kënaqësi në jetët tona, nëse në vend që të jetojmë me shpresë për të ardhmen, përqëndrohemi tek e tashmja.

  1. Bazuar tek Mateu 17:1–8
  2. Shih Mateu 14:27–29
  3. Mateu 17:4