Vdekja e vëllait tim ishte një goditje e rëndë për mua, ndoshta ngaqë ishte shumë e papritur. Xhoni vdiq nga një sulm në zemër kur ishte vetëm 51 vjeç. Deri në atë moment, ai dukej i fortë, i shëndetshëm, dhe se ishte në lule të jetës, ndaj ishte e vështirë për mua të pranoja humbjen e tij.

Kur ishim të vegjël, ishim shumë të afërt me njëri-tjetrin, dhe që të dy ishim shumë kureshtarë mbi natyrën dhe jetën përtej dyerve. Mirëpo, pas studimeve universitare, rrugët tona u ndanë. Unë u shpërngula për në Azinë Juglindore, ku krijova familje dhe jepja mësim në shkollë, kurse Xhoni punonte si inxhinier në Montanën rurale.

Megjithatë, vitet e fundit, i rivendosëm kontaktet. Kisha ndërmend t’i shkoja për vizitë, por isha shumë e angazhuar me punën dhe familjen, kështu që, vazhdoja ta shtyja. Tani është shumë vonë. Pikërisht kështu, Xhoni nuk është më! E kam peng në zemër! Sikur të kisha shkuar ta vizitoja!

Një mbrëmje u luta, “Zot i Dashur, të lutem më jep një shenjë që Xhoni është mirë.” Nuk jam e sigurt se çfarë prisja, por nuk më erdhi asnjë sinjal. Kur u shtriva më vonë të flija, i kërkova një ëndërr ngushëlluese, por kur u zgjova mëngjesin tjetër, nuk mbaja mend asnjë gjë.

Kur po qëndroja në dhomën e kopështit, m’u dha mundësia të qëndroja në një kopësht të mahnitshëm, pikërisht jashtë derës sime. Fiks mu tek dera gjendej një shkurre jasemini të cilën kisha një javë, në mos më shumë, të cilën e prisja me padurim që të çelte, dhe kur dola në oborr atë mëngjes, syri më kapi diçka.

Aty në shkurren e jaseminit kishte çelur një lule e bardhë, e vetme dhe e përsosur! Lulet e jaseminit zakonisht rriten në masë dhe çelin të gjitha njëherësh, dhe ishte rast shumë i rrallë që të çelte një lule e vetme.

Papritur, ndjeva se kjo ishte shenja që i kisha kërkuar Zotit. Ishte po aq domethënëse dhe e qartë sa të kisha dëgjuar zërin e Xhonit duke thënë: “Jam shumë mirë!” Zoti përdori dashurinë time për natyrën për të më dhënë një shenjë që ishte kuptimplotë për mua.

Ju mund të mendoni se është diçka e vogël, por për mua, ishte shenjë e dashurisë së Zotit. Kujdesi i Tij shfaqet edhe në hollësitë më të vogla të Krijimit të Tij dhe jetëve tona. “As edhe një harabel i vetëm nuk mund të bjerë në tokë pa e ditur Ati ynë. Dhe fijet e flokut në kokën tënde janë të gjitha të numëruara.” 1

Tani, sa herë që shoh një lule jasemini dhe ndiej aromën e saj, më vjen ndërmend ai mëngjes. Nuk e pyes më veten nëse Xhoni është mirë. Unë e di që ai është dhe se do ta shoh atë përsëri.

  1. Mateu 10:29-30