Kam menduar gjithmonë që Princ Jonatani, djali i mbretit të parë të kurorëzuar të Izraelit, është një shembull i mrekullueshëm i Biblës për nderin dhe integritetin. Pa mendojeni: ai logjikisht pritej të trashëgonte fronin e të atit, Mbretit Saul, si mbret, por profeti Samuel leu me vajin e kurorëzimit Davidin në vendin e tij.

Po të isha në vend të Jonatanit, them se do të isha dorëzuar në një nga dy mënyrat. Ose do të isha konsumuar nga zilia, duke ndier që më ishte bërë një padrejtësi. Ose nuk do të më bëhej vonë nga ai moment e tutje për punët e mbretërisë.

E vërteta është se në fakt, i kam pasur të dyja këto reagime për gjëra shumë më pak të rëndësishme se humbja e vendit për të trashëguar fronin. Është e thjeshtë të humbasësh kthjelltësinë e asaj që unë e quaj “moralin tim”, kur ndiej se po ngelem në anën e keqe të një marrëveshjeje.

Por çfarë bëri Jonatani? Për aq kohë sa i mbeti Princ, ai ishte princi më i mirë që mund të ishte, deri në fund, kur ai vdiq duke luftuar një betejë të humbur. 1 Edhe pse ai e përmbushi rolin e tij si princ, ai gjithashtu nderoi dhe mbrojti mbretin e ardhshëm, Davidin, në shumë raste.

Jonatani ishte trim që i shërbeu vendit të tij. Ai pati kurajën të luftonte me mijëra Filistejnë vetëm me ndihmën e armaturës së tij. 2 Ai gjithashtu shqetësohej për mirëqenien e Izraelit dhe luajti një rol aktiv në administrimin e babait të tij. Jonatani i tha njëherë David, “Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua.” 3

Nuk mendoj se Jonatani e pa qeverisjen e Izraelit si një mundësi vetë-shërbyese. Atij duket se nuk i interesonte kush ishte mbreti, për aq kohë sa ata e drejtonin vendin sipas mënyrës së Zotit. Ai e vuri peshën e tij të plotë pas Davidit, të kurorëzuarit të Zotit, thjesht sepse ai ishte i kurorëzuari i Zotit. Kjo kërkon integritet, integritet të thellë që vjen nga besimi i plotë në largpamësinë e Zotit.

Babi i tij Sauli, krahasuar me të, tregoi mungesë integriteti në shumë raste. Ai vazhdimisht doli kundër fjalës së thënë, nuk iu bind profetit të Zotit dhe ishte më i interesuar në ruajtjen e qeverisjes së tij, sesa të bënte një punë të mirë si mbret. Frika e Saulit se mos humbte mbretërinë e tij e shtyu atë të merrte vendime të gabuara që, si përfundim, i kushtuan atij mbretërinë dhe jetën e tij.

Tani, do të flasim për mua. Disa vite më parë, pata disa probleme të mëdha në punë. Më ra tavani sipër kur një person që ndieja se po bënte më pak se unë për kompaninë, u ngrit në postin që unë prisja të merrja. Kisha bërë maksimumin në punën time në kompani dhe sinqerisht, ndieja se e meritoja ngritjen në detyrë. U përpoqa të tregohesha zemërbardhë, por më indinjoi pa fund. “Shpirti im i skuadrës” u godit rëndë.

E urrej kur ndiej që diçka është e padrejtë! Ndonjëherë, mendoj se veprimet ose qëndrimi i padrejtë i dikujt tjetër justifikon reagimet e mia të këqija. Ose akoma më keq, mendoj se sjellja e tyre në fakt, më jep të drejtën të kem një qëndrim të ashpër.

Ja ku isha, duke zier në keqardhjen për veten, një javë të tërë a diçka e tillë, para se të ulesha të lutesha për situatën time. Pa gjejeni kë më solli Zoti ndërmend? Po, Jonatanin. Zoti më kujtoi për dashurinë e Jonatanit për Davidin dhe si ai nuk e vuri në pikëpyetje vendimin e Zotit. Jonatani me shumë gjasa, do të kishte qenë një mbret i mirë për Izraelit, por Zoti e zgjodhi Davidin, dhe Jonatani i besonte zgjedhjes së Zotit.

Të jesh person që bën më të mirën për postin e zgjedhur nga Zoti, edhe kur ai nuk i ofron prestigj, apo “përfitime” duhet integritet dhe nder. Të jesh i aftë të njohësh rolin që Zoti do që ti të luash dhe ta luash ata pa kthyer kokën prapa, për të parë nëse dikush tjetër ka një rol më të mirë se ty, apo po bën një punë po aq të mirë se ty, duhet një person shumë i madh. Siç e tregon dhe historia ime e shkurtër, unë nuk isha i përshtatshëm për këtë standard.

M’u desh të punoja për të radhitur veprimet e mia, për t’i bërë ato në përputhje me besimet e mia. Ky është bërë përkufizimi im personal i integritetit, dhe kam një pyetje që ia bëj vetes kur vras mendjen nëse po bëj zgjedhjen e duhur: “A janë veprimet e mia në përputhje me besimet e mia?” Vetëm kur unë mund të përgjigjem me një “po” të plotë, mund të jem i sigurt që integriteti im nuk vihet në dyshim.

Fundi i lumtur është se unë bëra që veprimet dhe qëndrimi im të përputheshin me besimet e mia. Mësova vlerën e mbajtjes së rolit tim, dhe sigurisht që superiorët e mi nisën ta vinin re.

  1. Shih 1 i Samuelit 31:6.
  2. Shih 1 i Samuelit 14:1–16.
  3. 1 i Samuelit 20:2