Pa armik, s’mund të ketë luftë.

Kohët e fundit pashë përsëri filmin Gëzuar Krishtlindjet [Joyeux Noël] (Christian Carion, 2005), që tregon historinë e një ngjarjeje të mirëdokumentuar, që ndodhi në një fushëbetejë në Francë në Vigjilje të Krishtlindjes, 1914.

Një betejë e Luftës së Madhe (Luftës së Parë Botërore) përfshinte rreth 3 000 ushtarë nga ushtritë skoceze, franceze dhe ajo gjermane. Në Vigjilje të Krishtlindjes, dikush nga ana gjermane filloi të këndonte “Silent Night”(Natë e Heshtur). Së shpejti, një gajde skoceze iu përgjigje, dhe pa kaluar shumë kohë të tria palët luftuese po e këndonin këngën në unanimitet bashkërisht nga e njëjta llogore, ku i ndanin vetëm 100 metra, kur disa orë më parë ata po vrisnin njëri-tjetrin. Çfarë kontrasti!

Të pushtuar nga paqe falë ngrohtësisë së kësaj kënge të dashur universale, palët ndërluftuese dolën nga llogoret e tyre dhe ranë dakord për një armëpushim jozyrtar. Në disa vende përgjatë frontit të luftës, the armëpushimi i Krishtlindjes zgjati për dhjetë ditë. Armiqtë shkëmbyen fotografi, adresa, çokollata, shampanjë dhe dhurata të tjera të vogla mes tyre. Ata zbuluan se kishin më shumë të përbashkëta nga sa kujtonin, duke përfshirë një mace që shëtiste nga njëra anë në tjetrën dhe ishte bërë mike me të gjithë, të cilën të dyja palët e pretendonin se ishte kafsha e tyre.

Armiqtë e dikurshëm komunikonin sa më mirë që mundeshin në gjuhën e njëri-tjetrit. Komandanti gjerman, Horstmayer, i tha Togerit francez, Audebert, “Kur ne të marrim Parisin, do të ketë marrë fund gjithçka. Më pas, ti mund të më ftosh për një pije në shtëpinë tënde në Rue Vavin (Rruga Vavin)!” “Mos kujtoni se është e nevojshme të pushtoni Parisin për të pirë një pije në shtëpinë time!” iu përgjigj Audeberti.

Miqësia që u formua midis palëve ndërluftuese shkoi përtej bisedave të thjeshta. Mëngjesin pas përfundimit të armëpushimit të Krishtlindjes, secila palë paralajmëroi tjetrën për bombardimet e artilerisë që ata e dinin se po vinin nga njësitë e tyre të artilerisë. Ndjenja e tyre e re e miqësisë ishte aq e fortë saqë disa prej ushtarëve ishin strehuar madje edhe në llogoret e palës kundërshtare për t’i ruajtur ata nga bombardimet.

Çfarë e solli këtë transformim të pabesueshëm? E gjitha filloi me dashurinë e përbashkët për këngën e dashur të Krishtlindjeve.

Ky incident na kujton se ekziston një shërim për luftën dhe kjo është të ndalemi së portretizuari keq armiqtë tanë dhe të mësojmë t’i duam ata, siç na mësoi Jezusi. 1 Sigurisht që është shumë më e lehtë ta thuash sesa ta bësh. Por nuk është e pamundur. Ne duhet të mësojmë të shohim përtej dallimeve të jashtme të racës, ngjyrës, besimit dhe ideologjive dhe të kuptojmë se të gjithë kanë një nevojë të përbashkët-dashurinë. Gjithkush ka nevojë të dojë dhe ta duan. Nëse secili do të bënte përpjekje për t’u njohur me të tjerët me të cilët duket sikur nuk kemi shumë gjëra të përbashkëta, ne mund të konstatojmë, ashtu siç bënë edhe ushtarët në atë fushëbetejë, që ne kemi shumë më tepër të përbashkëta sesa dimë.

Duke marrë parasysh se Lufta e Parë Botërore zgjati më shumë se tre vjet pas këtij incidenti dhe mori jetët e rreth 20 milionë njerëzve, dhe duke marrë parasysh që prej asaj kohe janë luftuar dhjetëra luftëra, me miliona vdekje të tjera, njeriu del në përfundimin se gjesti i miqësisë dhe vullnetit të mirë të atij prag Krishtlindjeje shkoi më kot. Ushtarët që morën pjesë ishin qortuar ashpër. Eprorët e tyre, për të siguruar që ky incident nuk do të përsëritej, urdhëruan shtimin e numrit të bombardimeve në Krishtlindjen e ardhshme. Megjithatë, kjo histori e paqes në mes të luftës jeton dhe vazhdon të kalojë pengesat që bëjnë armiq, miqtë e mundshëm. Në fund të fundit është një dëshmi mbi fuqinë e dashurisë së Zotit, që është dhe thelbi i Krishtlindjes.

Një lutje Krishtlindjeje 

I atribuohet Robert Louis Stevenson (1850–1894)

Zot i dashur, na ndihmo të kujtojmë lindjen e Jezusit që ndajmë në këngët e engjëjve, gëzimin e barinjve, dhe adhurimin e njerëzve të mençur. Mbyll derën e urrejtjes dhe hap derën e dashurisë në të gjithë botën. Lejo të vijë mirësia me çdo dhuratë dhe dashamirësia me çdo përshëndetje. Na çliro nga i ligu me bekimin që sjell Krishti. Le të na mbushen mendjet me mendime mirënjohëse dhe zemrat tona me falje, për hir të Jezusit. Amen.

  1. Shih Mateu 5:44.