Unë e zbulova fuqinë e faljes në një pasdite korriku,  në vitin 1976. Ishte gjatë regjimit të Idi Aminit, kur Uganda kishte arritur në një ndalesë, karrierat, ekonomia, infrastruktura, arsimi, gjithçka. Unë isha studente në Universitetin Mekerere dhe gjithashtu sapo isha martuar dhe po prisja një fëmijë.

Ngaqë universiteti nuk kishte furnizime dhe lektorët apo universiteti nuk kishin nga t’i merrnin, nuk vinin të na jepnin mësim. Kështu që, ne studentët shkonim çdo ditë në librari dhe ose lexonim aty, ose i merrnim librat të studionim nëpër dhomat tona. Idi Amin, ngaqë s’kishte shkuar vetë në shkollë, nuk e kuptonte pse e bënim këtë. Ai mendonte se kjo ishte një demonstrim kundër tij, kështu që ai rregullisht dërgonte ushtarë në kamp për të na terrorizuar.

Në atë periudhë, im shoq po punonte në pjesën veriore të vendit, afër kufirit me Sudanin. Herë pas here, ai vinte në Kampala ose e vizitoja unë dhe ne kalonim disa ditë së bashku. Ai sapo kishte ardhur për të kaluar fundjavën, dhe të hënën në mëngjes ai më çonte në kamp. Kur arrita në dhomë, shoqja ime e dhomës, Judith, dhe një shoqe tjetër, Brenda, më thanë se ushtarët kishin ardhur vazhdimisht nga holli tjetër i rezidencës në anën tjetër të kampusit, kishin thyer gjëra dhe kishin rrahur disa studentë.

Kjo s’ishte hera e parë që ndodhte. Herë pas here, fugonë plot ushtarë vinin dhe rrihnin disa nga djemtë. Ne vajzat u bërtisnim ushtarëve nga ballkonet e dhomave tona, duke u thënë të ndalojnë dhe ata na ktheheshin duke na thënë se ishim gra budallaqe që nuk dinim gjë. E dinim që nuk do ta na sulmonin pasi ishim gra.

Rreth mesditës atë të hënë, trokitën në derën tonë. Menduam se mos ishin miqtë tanë që po na luanin ndonjë rreng, kështu që, ne bërtitëm, “Largohuni, ushtarë!” dhe qeshëm. Ju e dini si janë studentët. Por e trokitura u bë akoma më e fortë, derisa kuptuam që ishin vërtet ushtarët!

Unë dhe Brenda vrapuam për në ballkon dhe u strukëm. Judithi kërceu në krevatin e saj dhe u mbulua. Disa momente më vonë, ushtarët e thyen derën me një forcë të tillë saqë copat dhe pjesët e dorezës dhe derës fluturuan nëpër dhomë dhe arritën deri në ballkon. Ushtarët mësynë në dhomë, duke bërtitur. Mrekullisht, ata nuk e panë Judithin në krevat, por na gjetën mua dhe Brendën në ballkon. Mbaj mend që mendova, Kaq e patëm! Sa herë që ushtarët përndiqnin dikë në veçanti, ky ishte fundi për ta.

Ata na tërhoqën nga ballkoni dhe na shtynë për në korridor nën kërcënimin e armës. Një ushtar qëndroi pas dhe kërkoi përmes letrave tona. Judithi e dëgjonte që ai ishte disa metra larg, por ai s’e pa kurrë atë.

“Të gjetëm! Të gjetëm!” më thërrisnim mua vazhdimisht, sikur ishin të sigurt që unë isha ndonjë lloj kryetareje. Kur arrita në majë të shkallëve, ata na shtynë. Sa herë që ne çoheshim, ata na shtynin përsëri. Binim dhe rrotulloheshim, çoheshim, binim dhe rrotulloheshim, duke lënë pas një shkallë pas tjetrës. Në majë të shkallëve të fundit, të cilat ishin më të gjatat, një nga ushtarët më goditi nga pas aq fort, saqë fluturova dhe s’ndalova derisa u përplasa me dyshemenë. E humba vetëdijen.

Kur ushtarët e tjerë arritën fundin e shkallëve me Brendën, thanë se do ta na çonin në Makindye, një barakë që në atë periudhë ishte një kasaphane. Por fillimisht, ata na çuan te dera ngjitur te Holli Lumumba, një sallë e rezidencës së djemve, e ndërtuar rreth një oborri. Aty, ushtarët po torturonin djemtë, djem të cilët ne i njihnim, djem të mirë. Mesa duket, kjo torturë kishte nisur që herët në mëngjes, dhe ne s’dinin gjë, edhe pse ishim në ndërtesën ngjitur.

Ushtarët më lanë mua dhe Brendën me djemtë për një farë kohe, por së shpejti, ne të gjithë u urdhëruam të dilnim jashtë, përballë hollit. Unë dhe Brenda u ndamë nga të tjerët. Më thanë që unë do të merrja trajtim të veçantë, pasi isha kryetare.

Erdhën më shumë ushtarë, qindra të tillë. Ata sollën jashtë vajza të tjera dhe i detyruan t’i bashkoheshin djemve, duke u zvarritur gjysmë-lakuriq para mbrapa në kërcënimin e armës në pistë, me gjunjët e zhveshur dhe të gjakosur.

S’ia kisha idenë pse mendonin se isha kryetarja. Mblodha forcë, duke ditur që akuzat e tyre ishin të pabaza. Ata na rrahën, fshikulluan dhe morën nëpër këmbë mua dhe Brendën, por vëmendja kryesore e tyre më ishte kushtuar mua. Kjo vazhdoi për orë të tëra, një formë mizore torture pas tjetrës. Ju kujtoj që isha rreth një muaj shtatzënë në atë moment. Qe një mrekulli që bebi mbijetoi.

Nga fundi i pasdites, mesa duket ushtarët vendosën se më kishin torturuar mjaftueshëm dhe thanë se po më çonin në Makindye, te kasaphane. Por para se të vdisja, unë doja të zbuloja pse po ma bënin këtë. Pse, nga qindra vajza në hollin e rezidencës sime, ata më kishin zgjedhur mua si kryetaren?

Gjithë ditën s’thashë gjë. Nuk qava. Nuk bërtita. S’kisha bërë gjë për të rezistuar. Kisha qenë si një copë druri. Tani, një pjesë e imja donte t’i peste pse po ma bënin këtë, por një pjesë tjetër, më thoshte se po t’i pyesja, do t’i nxisja që të tregoheshin më të ashpër me mua. Më pas, një zë brenda meje tha, Thjesht shiko në sytë e tyre. Aty do ta gjesh arsyen për këtë.

Kështu që, pashë në sytë e tyre dhe u befasova pa masë me atë që pashë! Pavarësisht mallkimeve dhe kapaidallëkut të tyre, ata ishin të lënduar përbrenda! Ata s’e pëlqenin atë që po bënin, ndryshe nga ç’kisha menduar gjithë ditën.

Isha aq e mbushur me keqardhje për ta, saqë desha t’u thosha para se të vdisja që i kuptoja, se gjithçka ishte në rregull. Por si mund t’ua thosha atyre këtë? Po më rrihnin dhe torturonin, por mes goditjeve më lindi mendimi, Ndoshta, nëse flas për diçka që kemi të përbashkët, kjo do t’i ndihmojë ata të kuptojnë. Ishte një ide e çmendur, por s’më interesonte. S’kisha ç’humbisja.

Por ç’kisha unë të përbashkët me ata ushtarë? Ata ishin burra të fuqishëm, kurse unë një grua shtatzënë. Ata kishin armë, çizme, kamxhikë, kurse unë isha një vajzë e thjeshtë dhe e pashpresë. Më pas, i thashë vetes. Ti je e martuar, po pret një fëmijë. Edhe këta burra duhet të kenë familje.

“Ç’ju gatuan gratë mbrëmë për darkë?” i pyeta.

“Çfarë?” pyetën ata me mosbesim. Dhe më pas, ata thanë diçka në kisuahili. Sa herë që ushtarët e Idi Aminit torturonin njerëz flisnin kisuahili. Sot, shumë ugandezë nuk flasin më kisuahili, pasi ata e lidhin këtë gjuhë me torturën dhe gjërat e këqija. “Çfarë gruaje budallaqe!” bërtitën ata, dhe më goditën akoma më shumë.

Kur ata ndaluan, mora frymë thellë dhe i pyeta përsëri, “Çfarë ju gatoi gruaja mbrëmë?” Ata më goditën përsëri. Ata vazhduan derisa i erdhi ndërmend ideja, Le të tallemi me të. Dhe ata nisën të përgjigjeshin, “Hëngra këtë,” dhe “Hëngra atë.”

Më pas, i pyeta, “Në cilën shkollë ju shkojnë fëmijët? A i çuat fëmijët në shkollë këtë mëngjes?”

Pyetjet e mia të thjeshta na çuan drejt një bisede dhe ushtarët në fund, u ulën me mua, poshtë një peme, ku ne folëm dhe qeshëm së bashku. Po, ne qeshëm vërtet së bashku! Brenda më vonë më tha se kur ajo e pa atë skenë, frika dhe dhimbja iu larguan.

Doli që ushtarët që kishin qenë me mua gjithë ditën ishin udhëheqësit. Ata dhanë një sinjal dhe gjithçka mbaroi, sa hap e mbyll sytë! Deri në atë moment, rreth orës 6:30, disa nga djemtë kishin gjithë ditën që torturoheshin, kurse pjesa tjetër rreth gjashtë orë.

Fugonët erdhën e mblodhën ushtarët, kurse ambulancat erdhën për ata që ishin lënduar rëndë. Të gjitha portat e universitetit ishin mbyllur dhe kishin roje gjatë gjithë ditës, por ambulancat duhet të kenë qenë duke pritur jashtë, sepse ata erdhën menjëherë, kur ushtarët ishin ende duke u larguar.

Kuzhinierët e universitetit dhe stafi i kuzhinës, të cilët ushtarët s’i kishin ngacmuar, na sollën çaj dhe bukë, më pas u ulën me ne në tokë dhe qanë për ne. Në atë moment, unë e lëshova veten. S’mund ta imagjinoja si kishte qenë për ta, të shihnin gjithçka, por të mos ishin në gjendje të bënin gjë për ta ndaluar.

Duke kthyer shikimin pas, mund të them sinqerisht që i fala ata ushtarë në momentin që i pashë në sy, sepse në atë moment kuptova se të gjithë ne, si studentë dhe ushtarë, ishim viktima të diçkaje që s’e kuptonim. Dhe kur i pyeta ata për shtëpitë dhe familjet e tyre, ata morën mesazhin që unë e kuptova këtë dhe i fala.

I detyrohem gjithashtu shumë mënyrës si u rrita. Prindërit e mi më mësuan se ka të mirë te çdo kush, pavarësisht gjithçkaje. Duhet të ketë, sepse Bibla na thotë se Zoti nga krijoi në vetë imazhin e Tij.

Ajo përvojë më dha shumë fuqi dhe më tregoi se s’duhet të kem kurrë frikë nga një qenie tjetër njerëzore! Ja pse mund ta bëj punën që bëj sot. Ndihem e qetë edhe me ushtarët e armatosur, dhe madje shkoj në zona të minuara. I kam frikë minat dhe armët, por s’i kam frikë ushtarët apo rebelët që mbajnë armë, apo vendosin mina. E di që ata janë njerëz, njësoj si unë, dhe ne ndajmë një ngjashmëri të thellë që s’mund të na i largojnë kurrë.

Përjetimi i një përvoje të tillë në Universitetin Makerere më jep vërtetësi në bisedimet që jap tani mbi faljen. Kur tregoj historinë time, si mund ta fal dhe gjërat e mrekullueshme që ndodhën për pasojë, njerëzit dëgjojnë.

“Pse ta fal dikë që s’kërkon falje?” më pyesin shpesh njerëzit. Dhe unë u them, “Jeta është shumë e shkurtër që të rri e të pres dikë të më kërkojë falje.”

Sa shumë mirësi ka ardhur nga një përvojë aq e tmerrshme. Më e mira e të gjithave, është se unë se zbulova atë, si gjithë të tjerët, unë kam lindur me një veçori të mrekullueshme, fuqinë t’i dua njerëzit! S’m’u desh ta fitoja. Thjesht qe aty. Dhe s’mbaron. Sa më shumë e përdor, aq më shumë marr prej saj!