Formula për rritje shpirtërore

 Ai kërkoi Perëndinë …. dhe përderisa kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi.1

Nëse doni të jeni në formë të mirë fizike duhet të ushqeheni siç duhet, të stërviteni dhe të krijoni një program të mirë fizik. Në mënyrrë të ngjashme, nëse kërkoni një rritje shpirtërore—nëse doni të jeni në formë të mirë shpirtërore—duhet të investoni e të kini një regjim shpirtëror.

Më poshtë do të japim pesë pika të një formule për të arritur rritjen shpirtërore.

Numri 1: Lidhu me Perëndinë duke marrë ushqim shpirtëror.

Të krijosh hapësirë për ushqim shpirtëror dhe kohë me Zotin, është thelbësore për të patur një jetë vibrante shpirtërore. Jezusi pohoi se Fjala e Zotit është për ne ushqim shpirtëror kur citoi vargun e Dhjatës së Vjetër: “Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por prej çdo fjale që del nga goja e Zotit.”2

Bibla është “fjala që del nga goja e Zotit.” Ashtu siç kemi nevojë të hamë ushqim çdo ditë për të qenë gjallë e për të patur shëndet të mirë, ashtu duhet të marrim çdo ditë edhe ushqim shpirtëror. Nëse keni vetëm disa minuta për të kaluar me Zotin, mos i neglizhoni dhe do të kuptoni se edhe ato pak minuta janë të rëndësishme. Jezusi tha: “Fjalët që Unë ju thashë janë shpirt dhe janë jetë.”3 Mos e humbisni ushqyerjen e përditshme me “shpirt” dhe “jetë”.

Nga duhet të vijë ushqimi juaj shpirtëror? E para dhe më kryesorja është nga Bibla, Fjala e Zotit. Një tjetër burim janë materiale të shkruara ose mediatike, të shkruara nga burra dhe gra të Perëndishëm. Shkrimet frymëzuese të Kristianëve të tjerë mund t’ju ndihmojnë të forconi besimin, të kuptoni më shumë rreth shkrimeve të Shenjta dhe të përdorni Fjalën e Zotit sipas nevojave dhe sfidave që mund të keni.

Numri 2: Ndërtoni një jetë aktive mes lutjesh.

Lutja është një element thelbësor në jetën tonë shpirtërore; është mënyra nëpërmjet së cilës ne komunikojmë me Zotin, Krijuesin tonë. Ne mund të flasim me Të, ta lavdërojmë e ta adhurojmë, t’i tregojmë shqetësimet tona, problemet, nevojat e t’i kërkojmë ndihmë dhe forcë. Nëpërmjet lutjes ne kërkojmë që të bëhet vullneti i Zotit dhe nëpërmjet saj dëgjojmë zërin e Tij dhe kërkojmë nga Ai mbrojtje, kurajo, mbështetje dhe udhëzime. Lutja është një bisedë mes dy palëve. Është një mënyrë për të ndërtuar dhe thelluar marrëdhënien tonë me Zotin.

Nëpërmjet lutjes ne transferojmë te shpatullat e Tij të forta të gjitha shqetësimet që kemi në tokë. Nëse shpirti juaj është i shqetësuar për diçka, Zoti është po ashtu i shqetësuar. Siç thuhet shpesh: “Nëse ia vlen për t’u shqetësuar për diçka, atëherë ia vlen edhe të lutesh për atë gjë.”

Numri 3: Jini në rregull me Zotin.

Pika tjetër e formulës sonë për rritje të shëndetshme shpirtërore është të jemi në rregull me Zotin. Kjo nuk do të thotë të jemi të përkryer. Jezusi i kupton të metat dhe dobësitë e njerëzve, duke qenë se edhe Ai vetë e provoi jetën si qënie njerëzore. Kur Ai dha jetën e Tij për mëkatet tona e dinte mirë se ne nuk do të ishim të saktë në gjithçka, pavarësisht sa shumë të përpiqeshim. Ne mund të hyjmë në vendin e mrekullueshëm të paqes dhe faljes duke pranuar rregullisht gabimet tona dhe duke vrapuar tek krahët e Tij.

Ky pastrim i rregullt i jep shkëlqim jetës suaj shpirtërore dhe ju sjell paqe. Kur e dini se jeni në regull me Zotin, kur nuk keni mëkate të parrëfyera në jetë, jeni më të prirur te vini tek Ai në kohë lutjeje dhe adhurimi dhe kështu ju keni më shumë besim se Ai do t’ju bekojë e do të kujdeset për ju.

Numri 4: Ndiqni Zotin (Fjalën, zërin dhe udhëheqjen e Tij)

Një tjetër pikë thelbësore për t’u rritur shpirtërisht është të bësh atë që thotë Fjala e Zotit. Ne jemi thirrur për t’iu bindur asaj që Zoti kërkon nga të gjithë Kristianët, si edhe këshillave dhe udhëzimeve të Tij personale ndaj nesh si individë.

Ne nuk duam të jemi thjesht “Kristianë të mençur” që kanë shumë njohuri rreth gjërave shpirtërore, doktrinave dhe teologjisë. Ne nuk duam që thjesht të flasim për Jezusin dhe pritshmëritë e Tij për ndjekësit e Tij. Ne duhet të zbatojmë parimet shpirtërore, të jemi shembuj të gjallë dhe kjo arrihet duke qenë bërës të Fjalës dhe jo vetëm dëgjues.4.

Numri 5: Bëhuni pjesë e komunitetit të besimtarëve.

Kur ne besimtarët bëhemi bashkë, përfitojmë shumë. Kur kalojmë kohë me Kristianë të tjerë duke adhuruar Zotin, duke lexuar Fjalën e Tij dhe duke kënduar, duke u lutur së bashku e duke besuar te njëri-tjetri, ne bëhemi më të fortë. Rigjallërohemi, na qartësohen objektivat dhe jemi të përgatitur më mirë për atë që Zoti do të na sjellë gjatë jetës.

Mund të jetë sfidë për të gjetur kohë për shoqëri cilësore apo për të gjetur një komunitet Kristian ku të ndihemi si në shtëpinë tonë. Është e rëndësishme, jo vetëm për përmirësimin e gjëndjes suaj shpirtërore dhe kënaqësisë suaj, por ju  ndihmon edhe për t’u fuqizuar e për të sjellë një ndryshim në botë.

Ndaj, për të kultivuar një jetë të bukur shpirtërore, vini në zbatim këto pesë pika thelbësore. Rezultati do t’ju kënaqë.

  1. 2 Kronikave 26:5
  2. Mateu 4:4, Ligji i Përtërirë 8:3
  3. Gjoni 6:63
  4. Shih Jakobi 1;22