Po shkoja në shtëpi me makinë një natë, me xhamat e ulur dhe erën që m’i bënte flokët rrëmujë. Radioja ishte ndezur por unë isha e zhytyr në mendimet e mia — po, e zhytyr, derisa dëgjova fjalët e para të këngës “Fix You” nga grupi Coldplay.

Kur bën gjithçka por pa sukses
Kur arrin atë që do por jo atë që të duhet
Kur je shumë i lodhur por s’mund të flesh…

Fillova të dëgjoj vazhdimin e këngës. M’u duk sikur isha duke dëgjuar një histori – historinë time.

 Dritat do të të çojnë në shtëpi

Kënga po mbaronte ndërsa parkoja në oborr. “Dritat do të të çojnë në shtëpi,” përsërita. Çfarë mendimi i thjeshtë por i thellë. U mbështeta dhe mbylla sytë. Faleminderit që drita Jote më ka çuar gjithmonë në shtëpi.

M’u kujtuan rastet e shumta kur isha ndjerë e humbur, vetëm apo konfuze, por atëherë drita e dashurisë dhe përkujdesjes së Zotit ishte gjithmonë aty, për të më çuar në shtëpi, për të më kthyer në krahët e Tij të ngrohtë. Kjo dritë më ka ardhur në shumë forma – një shoqe që erdhi më takoi fiks në momentin e duhur; nëna apo babai im; një i huaj që më hapi një rrugë të re në jetë dhe në mënyrën e të menduarit; dhe, sigurisht, dashuria e jetës sime, bashkëshorti im. Pasioni i tij për jetën ka qenë shumë herë i ngjashëm me diellin që çan retë në kohë të stuhishme.

Kuptova se drita e Zotit ka qenë gjithmonë e ndezur në zemrën time. Kurrë nuk është fikur, kurrë nuk është shuar apo zbehur. Kurdo që kam ndaluar dhe vështruar, drita e Tij ka qenë gjithmonë aty, për të më udhëhequr drejt shtëpisë.

Jezusi u tha dishepujve të Tij, “Unë jam drita e botës. Ai që më ndjek Mua nuk do të mbetet kurrë në errësirë, do të kenë gjithmonë dritën e jetës.” 1 Ai është një rreze shprese, një dritë që na tregon rrugën ku duhet të ecim për të arritur ku duam, në përputhje me fatin tonë. Ai është një zjarr i ngrohtë që na bën të ndihemi plot dashuri. Sa herë që shohim përtej asaj që na rrethon, mund ta ndjejmë dritën dhe shkëlqimin e Tij.

Sa herë që jam ndalur dhe i jam drejtuar Atij, drita e Tij më ka çuar në shtëpi. Dhe e di që kështu do të jetë gjithmonë.

  1. Gjoni 8:12