Krishtlindjen kur isha gjashtë vjeç, mësova një poezi të titulluar “Ku Lindi Jezusi.” Poezia rrëfen historinë e tre djemve që shkuan të shikonin Jezusin. Njëri ishte i verbër, tjetri shurdh, kurse i treti ishte i gjymtuar. Pavarësisht të metave të tyre fizike, ata e ndihmuan njëri-tjetrin për të shkuar në koritën, ku lindi Jezusi. Më pas, Zoti u dha atyre një dhuratë të veçantë Krishtlindjeje, Ai i shëroi.

I imagjinoja djemtë e vegjël rreth moshës sime, dhe isha shumë e lumtur që ata u shëruan në atë natë të veçantë. Tani, s’mund të rrija pa menduar për të gjithë njerëzit e tjerë, jeta e të cilëve ndryshoi nga lindja e Jezusit.

Ishte një burrë duke ecur për në Betlehem, duke drejtuar një gomar që mbante mbi shpinë gruan e tij shtatzënë. Nëntë muaj më herët, jeta e tij kishte pësuar një ndryshim të papritur, për keq, por dukej se kishte ende një fije shpresë: atij i ishte premtuar në një ëndërr se çdo gjë do të shkonte mirë. Ai u mbajt fort pas atij premtimi; ai shpresoi, u lut dhe priti plot durim. Atë natë të parë Krishtlindjeje, të gjithë frikërat e tij u venitën. Kur Foshnja e vogël  lindi në koritë, paqja pushtoi shpirtin e shqetësuar të Jozefit.

Në fushat jashtë Betlehemit, një bari i thjeshtë po ruante dhentë gjatë gjithë natës. Jeta ishte e vështirë. Ai kishte taksa për të paguar dhe një familje për të ushqyer. Vendi i tij ishte pushtuar nga një fuqi e huaj dhe ai priste me padurim ditën kur do të ishte i lirë. Ndërkohë që po qëndronte ulur në qielli e ndriçuar nga yjet, ai u lut që të gjente zgjidhje për problemet e tij.  Atë natë lutjet e tij morën përgjigje, dhe kur pa Foshnjën teksa flinte në koritë, ai ishte i sigurt që Zoti në fund, do t’i jepte gjithçkaje zgjidhje. Erdhi drita në jetën e tij.

Një burrë i ditur kishte vëzhguar gjatë nëpër qiejt e natës në kërkim të një shenje mbi të vërtetën dhe kuptimin. Pavarësisht njohurive dhe pasurisë së tij, ai priste diçka më shumë. Përgjigjja erdhi nga një yll i ri i mahnitshëm që lajmëroi lindjen e Shpëtimtarit të tij dhe e udhëhoqi atë te i porsalinduri.

Sot, ka ende shumë njerëz që janë në kërkim të paqes dhe së vërtetës. Për gjithsecilin, përgjigjja është e njëjtë, me atë që morën të pranishmit atë natë në Betlehem. E njëjta dashuri që preku zemrat e tyre dy mijë vite më parë, mund të prekë zemrat e atyre që janë sot në kërkim.