Ndërsa makina vazhdonte të ngjitej lart e më lart, nuk mund të rrija pa pyetur veten nëse shtëpia e miqve tanë ishte ndërtuar në majën e malit. Kishte rënë errësira kur motra ime, dy miqtë e mi dhe unë mbërritëm në destinacion, por edhe natën malet dukeshin të gjallë.

Miku ynë na drejtoi nëpër errësirë nëpërmjet disa shkallëve që lëkundeshin për tek ballkoni, ku u mahnitëm nga panorama. Para nesh ndodhej pamja më e bukur e qytetit të Iskanderunit, në Turqi. Drita vezulluese të të gjitha ngjyrave kufizonin Mesdheun, sikur një engjëll të kishte marrë një grumbull yjesh dhe t’i kishte hedhur nëpër errësirë.

Akoma edhe më e mirë ishte—qetësia.

Mëngjesin tjetër, më zgjoi cicërima e zogjve dhe një fllad i lehtë që frynte nga dritarja ime. Miku ynë na çoi për një mëngjes tradicional fshati: djath dhie, salçiçe të pjekura, speca të skuqura, ullinj me erëza—gjithçka aq e freskët sa nuk ka fjalë të përshkruhet. U ulëm këmbëkryq; një përrua rridhte midis pishave dhe kalonte poshtë tavolinës sonë.

Dy djem me këmisha gjysmë të futura në pantallona dhe me faqe të përlyera nga frutat na shitën një qese me kumbulla. Ata kishin buzëqeshjet më të ëmbla dhe dukeshin sikur kalonin çdo ditë duke luajtur nën rrezet e diellit dhe duke ecur nëpër pyje. Pashë sytë e tyre që shkëlqenin dhe buzëqeshjet që shtoheshin teksa bisedonim.

Kaluam vetëm një fundjavë tek shtëpia në mal. Ah sikur të mund ta vidhja atë qetësi dhe ta merrja me vete në shtëpi.

Teksa shtrihesha në barin e gjatë dhe lejoja nusepashkët të më kalonin nëpër gishtërinj, po mendoja sesi edhe Jezusi ndonjëherë kishte nevojë të largohej nga puna dhe nga impenjimet e Tij, në mënyrë që të lidhej me Atin e Tij. Shpesh, dukej se Ai arrinte të largohej në një vend të vetmuar, 1 por kam përshtypjen ka pasur edhe raste kur kjo s’ishte e mundur dhe Ai duhej të gjente “strehën që ofronte mali” në shpirt.

A janë ndopak ndryshe gjërat tani? Mijëra vjet më vonë, bota patjetër që nuk është më pak kaotike apo stresuese, dhe ne të gjithë e ndjejmë ndonjëherë. Besimi dhe durimi ynë testohen. Nganjëherë nuk durojmë dot më. Nuk ia dalim dot mbanë. Bëjmë gabime.

Zgjedhja na takon neve ama: të qëndrojmë në luginë apo të kthehemi në mal në shpirt. Disa njerëz ia dorëzojnë veten ditëve të zymta të jetës, por pasi shijova parajsën, unë do zgjedh malin!

  1. Marku 1:35; 6:46–47; Luka 5:15; 6:12