Tregohet një histori mbi vizitën që bëri Papa Leo XII në burgun e Shteteve Papale në vitin 1825, e cila është si vijon: Papa këmbënguli të pyeste secilin prej të burgosurve se si ishte futur aty. Siç pritej, çdokush këmbëngulte për pafajësinë e tij, të gjithë përveç njërit, i cili pranoi se ishte falsifikues dhe hajdut. Duke u kthyer nga gardiani papa tha me ton të ashpër, “Lirojeni këtë horr menjëherë, para se prania e tij të degjenerojë gjithë këta zotërinj të fisëm!”

Mund të qeshim nën zë, por kjo histori jep një mësim për të gjithë ne: falja e Zotit u jepet atyre që e dinë se u nevojitet, që nuk e meritojnë dhe që s’mund ta fitojnë, atyre që varen vetëm në mëshirën dhe hirin e Tij.

Ky parim vlen për shpëtimin nëpërmjet besimit, por gjithashtu zbatohet për jetën e përditshme. Sa shpesh sillemi si burrat e tjerë të historisë, aspak të gatshëm për të pranuar të metat dhe gabimet tona, të cilat do të na çonin drejt faljes dhe pajtimit me personat që u kemi rënë më qafë? Dhe sa shpesh kapemi pas dhimbjes dhe mërisë të shkaktuar nga veprimet e dikujt tjetër në vend që ta hedhim pas krahëve dhe t’i falim ata për të metat dhe gabimet e tyre?

Fjala e Zotit na tregon që duhet t’i falim të tjerët (edhe nëse mendojmë se ata s’e meritojnë), sepse ne kemi marrë falje nga Zoti, kur nuk e kemi merituar: “Jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.” 1

Pavarësisht nëse personit që iu fyeu, i vjen keq a jo, nëse ai apo ajo ka shprehur pendim a jo, vendimi juaj për të falur është thelbësore që të të lirojë nga burgu yt i dhimbjes dhe e hidhërimit, si dhe mund të jetë shtysë që të ecësh përpara. Të falim dikë që na ka lënduar s’është kurrë e thjeshtë. Por me Zotin, është e mundur.

  1. Efesianëve 4:32