Kur isha vajzë e vogël, shkova për herë të parë në cirk. Para syve të mi të frikësuar, ishin tri skena me aktivitet të plotë – me kafshë që performonin në njërën anë, dhe akrobatë që kërcenin dhe fluturonin në ajër në anën tjetër. Ajo që më bëri më shumë përshtypje po ndodhte në skenën e tretë. Një vajzë dhe një djalë po hidhnin në ajër disa sende me ngjyra, të cilat pasi vërtiteshin rreth e rrotull arenës, riktheheshin fiks tek duart e atij që i kishte hedhur. Nuk kishte rëndësi se në çfarë drejtimi hidheshin, sendet merrnin kthesën dhe vinin mbrapsht me shpejtësi tek akrobatët e rinj, të cilët i kapnin dhe i hidhnin sërish.

I pashë e mahnitur. “Ata janë bumerangë,” – tha dikush pranë meje. Ishte hera e parë që e dëgjoja këtë fjalë, dhe e futa thellë në mendjen time prej fëmije.

Sigurisht, e kam dëgjuar fjalën shumë herë që nga ai moment, dhe kam parë gjithashtu pas saj parimin e zbatuar në jetë. Në fakt, vetë jeta është bumerang. Fjala e Zotit thotë, “Ç’të mbjellësh do korrësh.” 1 Çdo fjalë apo veprim që bëjmë, rikthehet një ditë. E mirë apo e keqe, do të rikthehet tek ne, dhe shpesh rikthehet duke marrë shpejtësi.

Një paradite vizitova dy gra në të njëjtin spital. Njëra dhomë ishte e mbushur me lule dhe kartolina dhe të gjitha llojet e dhuratave nga miqtë dhe të njohurit, gjeste të menduara mirë dashurie, përkudesjeje dhe simpatie. Ajo ishte një pasqyrim i jetës së saj, për të cilin ajo kishte mbjellë dashuri dhe konsideratë ndër vite, dhe tani po i kthehej çdo gjë mbrapsht në momentin që i duhej.

Në një dhomë pak më tutje, një grua tjetër qëndronte e shtrirë dhe e vetme. Akoma egoiste, dyshuese dhe kritike siç kishte qenë gjithmonë, ishte e shtrirë me fytyrë nga muri – një mur i fortë e i ftohtë dhe bosh si ato që ajo kishte ndërtuar rreth vetes gjatë gjithë jetës së saj.

Çfarë ndryshimi që kishte mes atyre dy dhomave! Bumerangu ishte rikthyer tek të dyja gratë, por në mënyra shumë të ndryshme.

“Nëse u jep të tjerëve do t’ju jepet: një masë e madhe si këmbim. Do të jetë e mbushur plot, e ngjeshur dhe e hapur në prehërin tënd. Mënyra se si trajton të tjerët është mënyra se si edhe ti do të trajtohesh.” 2. Çdokush që jeton pa egoizëm, duke u kujdesur për të tjerët dhe duke mbajtur barrën e të tjerëve, duke iu lehtësuar dhimbjen dhe duke i ndihmuar të sigurojnë nevojat e tyre, do të shohë se bumerangu do rikthehet në formë bekimi një ditë!

  1. Galatasve 6:7
  2. Luka 6:38