Ndonjëherë ndihem e paralizuar nga gjithë vuajtjet e botës. Nuk është e mundur që unë të bëj ndryshimin te e gjithë uria, sëmundjet, varfëria, depresioni, shtypja, vetmia dhe vdekja. Kur sheh hallet në tërësi, e vetmja gjë që shikon është rrënimi.

Por kam arritur të kuptoj si kjo pikëpamje është në fakt, një mashtrim për të shpëtuar veten dhe një mendësi shumë egoiste. Dikush më sfidoi “të bëja për dikë” atë që nuk e bëja dot për shumë. Me këtë mendësi, ka gjithmonë diçka që mund ta bëj.

Në zyrën ku unë punoj, pa dashur dëgjova betejat e një kolegeje, që është nënë beqare. Krishtlindja po afronte. Ajo kishte disa fonde për dhurata që vinin nga gjyshërit dhe burime të tjera, por po haste shumë vështirësi të përballonte jetesën mes njërës rrogë në tjetrën, me gjithë shpenzimet shtesë të sezonit. M’u copëtua zemra për të.

Atë ditë, kisha 40$ në kuletën time. Shkrova një pusullë të shkurtër, i futa të gjitha në një zarf, dhe ia thashë duke i uruar “Gëzuar Krishtlindjen.” E bëra të gjithën shumë shpejt, pa e pleqëruar idenë mirë me veten. Nuk desha ta vija në siklet, dukej një shumë e vogël, ndoshta, dikujt tjetër do t’i hynte më shumë në punë… Justifikime, justifikime.

Kur ajo e hapi zarfin, shkrehu në lot. Dikush e mbështeti në betejën e saj, qoftë edhe për një moment. Isha e lumtur që e vura veten në lëvizje, por më së shumti, isha e befasuar nga ndikimi që secili prej nesh mund të kenë në një person të vetëm.

  • Një person të cilin e fton për kafe
  •  Një fëmijë që ti vendos ta sponsorizosh
  • Një të njohur të vetmuar që ti fton në shtëpi për të festuar
  • Një lodër që ti e jep për bamirësi në Krishtlindje
  • Një letër që ia dërgon me postë një miku të largët
  • Një tabaka biskotash që ti bën për fqinjët e vetmuar
  • Një familje, për fëmijën e të cilës kujdesesh
  • Një çift i moshuar për të cilët bën disa riparime
  • Një mik të sëmurë që viziton

Ju keni shumë fuqi dhe burime për të huazuar “thjesht një”. Imagjinoni ndikimin që ne mund të kemi, po të kujdeseshim vetëm për një person brenda mundësive tona.