“Kishte barinj aty pranë, që rrinin jashtë nëpër fusha duke ruajtur kopetë e tyre gjatë natës.”—Luka 2:8

Kur isha fëmijë, një nga fotot e mia të preferuara ishte ajo e Jezusit ku Ai paraqitej si Bariu i Mirë që mbante një qengj mbi shpatullat e Tij. Nëse mendoni si unë, besoj mund t’i keni konsideruar ata barinj që ruanin kopenë e tyre natën që Ai lindi si njerëz të respektuar të shoqërisë, të ndershëm, të besueshëm dhe korrekt. Në të kundërt, përse engjëjt do u besonin atyre një mesazh kaq të rëndësishëm që tregonte ardhjen e Birit të Perëndisë?

Faktet flasin ndryshe: Sipas disa historianëve, barinjtë e shekullit të parë në Palestinë konsideroheshin shtresa më e ulët. Termi që farisenjtë përdornin për ta, nganjëherë është përkthyer “mëkatarë”—një term përçmues që do të thonte i pistë dhe i papastër. Ata jetonin duke u marrë me kafshët, shpesh duke fjetur jashtë të rrethuar me bajga dhe sëmundje të ndryshme. Nga sa dukej, ata as nuk merreshin në konsideratë që të mund të ofronin një sakrificë për Perëndinë.

Sipas këndvështrimit të ngushtë të njeriut, Zoti po dërgonte një grup të dëbuarish për të përshëndetur ardhjen e Birit të Tij dhe për të shpëndarë lajmin e mirë të shpëtimit të gjithë atyre që do të dëgjonin. Nëse e mendojmë sot, mund të na ngjajë me një kor engjëllor që i shfaqet një grupi njerëzish që mbledh plehra. Por Zoti sheh zemrën. Për të nuk ka rëndësi se çfarë pune bën apo se si vishet dikush.

Bibla thotë se barinjtë vrapuan për të parë foshnjen ndaj dhe nuk patën kohë të bënin dush apo të ndërronin rrobat e palara. Vrapuan ashtu siç ishin, nga kodra në drejtim të Shpëtimtarit të tyre. 1 Mund t’i përfytyrojmë teksa i rrëfejnë përvojën e tyre Maries dhe Jozefit dhe ata që i pranojnë me dashamirësi mes tyre.

Përse Zoti zgjodhi barinjtë? Përse ua dha këtë privilegj kaq të çmuar atyre që ishin të pavlerë për shoqërinë? Ndoshta sepse e dinte se ata do të besonin me shpirt dhe me gjithë zemër. Ata do të vraponin pranë Birit të porsalindur të Zotit me shumë entuziazëm.

Barinjtë nuk u nderuan vetëm nga Zoti, por atyre iu dha privilegji të përhapnin edhe lajmin e mirë tek të tjerët. Duke u thënë të tjerëve se lindi Shpëtimtari, 2 barinjtë u bënë misionarët e parë Kristianë.

  1. Shih Luka 2:15-16.
  2. Shih Luka 2:17-18.